Familja e 28-vjeçarit Erjon Vishkulli, i cili u plagos rëndë në sy nga një plumb gome gjatë protestës në Tiranë, ka përgënjeshtruar publikisht kryeministrin Edi Rama, duke deklaruar se shteti shqiptar nuk ka financuar dhe as organizuar dërgimin e vëllait të tyre për kurim në Itali.

Reagimi vjen pasi kryeministri Rama deklaroi sot se ishte marrë personalisht me sigurimin e kurimit të të riut në spitalin më të mirë të Italisë, si edhe të transportit me një avion charter mjekësor.

Përmes një postimi në Instagram, motra e Vishkullit sqaron se transferimi drejt Italisë u mundësua nga familjarët, miqtë dhe personat që ofruan mbështetje financiare, ndërsa i kërkon mediave të mos publikojnë informacione të pavërteta dhe të mos e përdorin rastin e vëllait të saj për propagandë politike.

“Falënderojmë personat që morën iniciativën për një ndërhyrje më të specializuar në Itali. Dhe u bëj thirrje portaleve: Mos ndani lajme pa bazë për shikime apo mashtrime e propaganda të Ramës, për të dalë protagonist i ngjarjes vetë dhe për ta kthyer çështjen në politike, duke deklaruar që ka dhënë urdhër për të mbuluar shpenzimet e operacioneve”, shkruan motra e të riut.

“STOP FAKE NEWS! E kanë çuar familja, miqtë dhe mbështetësit e familjes tonë dhe JO SHTETI. Shpërndani lajme të sakta”, thekson ajo, duke shtuar: “Të duam pa fund, ERJON! Kthehu në shtëpi shëndoshë e mirë, duke buzëqeshur, t’ia gëzojmë zemrën mamit dhe babit.”