Në ditën e 13-të të revoltës studentore, pasi u grumbulluan para Ministrisë së Arsimit dhe marshuan nën shi drejt Kryeministrisë, protestuesit u vendosën para godinës së qeverisë dhe i vunë flakën karrigeve të nxjerra nga kryeministri Edi Rama si ftesë për dialog.

Karriget ishin nxjerrë mëngjesin e sotëm para godinës së qeverisë, ndërsa Rama përsëriti thirrjen për t’u ulur në bisedime me përfaqësuesit e protestës. Djegia e tyre është përgjigjja negative e protestuesve, të cilët shprehen se nuk duan dialog, por dorëheqjen e Ramës.

Situata më pas u tensionua më tej: protestuesit hodhën kapsolla në drejtim të godinës së Kryeministrisë, ndërsa forcat e Policisë u vunë në gatishmëri dhe bënë gati autobotët, në kuadër të masave për menaxhimin e situatës.

Protesta e sotme zhvillohet në një klimë tensionesh, pas përplasjeve të ditëve të mëparshme mes demonstruesve dhe forcave të policisë, si dhe plagosjes së disa protestuesve. Kërkesa kryesore e studentëve dhe të rinjve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.