Një goditje, dy hapa dhe më pas rrëzimi në tokë. Kështu e përshkruan Erjon Vishkulli momentin kur u plagos në sy nga një plumb gome gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë.
Mes dhimbjes dhe pasigurisë për shikimin, 28-vjeçari rrëfen për herë të parë ekskluzivisht për gazetarin e Top Channel, Endi Tufa, çfarë ndodhi pak para se gjithçka të ndryshonte. Plumbi ndodhet ende në syrin e tij të majtë, ndërsa shpresa tashmë është te mjekët dhe një ndërhyrje më e specializuar.
“Shkova të takoja shokët dhe do të ikja. Kisha hequr maskën e oksigjenit dhe në atë moment takova një shok gazetar. I kisha diku 30 metra larg policët, pa asnjë reagim, pa asgjë. Vetëm kur më vjen një goditje, eca rreth dy metra dhe rashë në tokë”, tha ai.
Gjithçka ndodhi në pak sekonda. Erjoni tregon se pas goditjes ishte vetëm pjesërisht i vetëdijshëm. Kujtimet për atë që ndodhi më pas janë të pakta, por ai mban mend ndihmën e një shoku, i cili e transportoi me makinë. Pas kësaj, nisi një tjetër betejë, këtë herë në spital, me dhimbjen dhe frikën se mund të humbasë shikimin.
“Isha pak i vetëdijshëm, ndërkohë që një shok më shoqëroi me makinë. Kaq mbaj mend pastaj”, u shpreh ai.
“Vazhdoj ta kem ende plumbin e gomës në sy. Nuk e di tani të them se sa i lartë është rreziku, por e lehtë nuk është, sepse kam shumë dhimbje”, u shpreh ai për Top Channel.
Në këto kushte, trajtimi i specializuar është kthyer në shpresën kryesore për të shpëtuar syrin e dëmtuar. Pas kontaktit të Top Channel me stafin e spitalit, mjekët dhe të afërmit e Erjonit, është siguruar transporti i tij drejt një spitali në Romë, ku pritet të niset pasditen e sotme për të marrë kujdes më të specializuar mjekësor.
Mes dhimbjes dhe pasigurisë, Erjoni mbyll dëshminë e tij me dy fjalë: “Vetëm fitore”. “Shqipëria është e jona”, e mbyll ai intervistën.
Mbështetja e FSHF-së
Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar ndaj plagosjes së rëndë të Erjon Vishkullit — pjesëtar i grupimit “Tifozët Kuq e Zi” në mbështetje të Kombëtares shqiptare — dhe ka marrë vendimin për të dhënë ndihmën e saj për trajtimin e tij, vendim që e konfirmon vetë presidenti Armand Duka përmes një postimi në rrjetet sociale:
“Më ka prekur thellë plagosja e rëndë e Erjon Vishkullit. Po kështu, tifozët kuq e zi dhe mbështetësit e përkushtuar të kombëtares sonë. Në këtë moment të vështirë, i shpreh Erjonit dhe familjes së tij afërsinë dhe solidaritetin tim. Federata Shqiptare e Futbollit është e gatshme të ofrojë ndihmë konkrete për trajtimin dhe rikuperimin e tij, në koordinim me familjen. Erjoni ka qenë pranë kombëtares me zemër e pasion. Sot, familja kuqezi është pranë tij. Nga zemra, shërim sa më të shpejtë, Erjon!” — shkruante presidenti i FSHF-së.
Burimi: Top Channel / Report TV




Leave a Reply