Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka publikuar një raport shqetësues mbi sulmet dhe incidentet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias gjatë protestave studentore në Tiranë, në periudhën 13–24 tetor 2026.

Sipas raportit, janë dokumentuar 50 raste sulmesh, nga të cilat 40 lidhen drejtpërdrejt me Policinë e Shtetit, duke përbërë 80% të incidenteve të regjistruara.

AGSH thekson gjithashtu se në pesë raste, gazetarë dhe punonjës të medias janë goditur me plumba gome nga policia teksa po ushtronin detyrën.

Incidentet e dokumentuara, sipas AGSH, përfshijnë dhunë fizike, kërcënime, pengim të raportimit, dëmtim të pajisjeve profesionale, përdorim të sprajit me piper, si dhe sulme verbale ndaj gazetarëve dhe mediave.

Mes rasteve të evidentuara janë edhe ato të gazetarëve dhe operatorëve të News24. Elvin Kamberi raportohet se është lënduar nga një mjet zhurmues i hedhur nga policia, ndërsa Renaldo Salianji ka denoncuar dhunë fizike dhe fyerje nga një efektiv. Gazetari Osman Stafa rezulton i përfshirë në dy incidente të veçanta, ndërsa Klevi Muka dhe Armand Kullau janë gjithashtu mes punonjësve të medias që kanë raportuar dhunë gjatë protestave.

Në protestën e 24 tetorit, sipas AGSH-së, Klevi Muka pësoi djegie në trup nga uji i hedhur nga policia, ndërsa Armand Kullau u sulmua qëllimisht me spraj me piper nga një distancë e afërt.

Raporti evidenton gjithashtu sulme ndaj gazetarëve nga protestuesit, përfshirë goditje me gurë dhe dëmtime të pajisjeve të xhirimit.

Në dokument janë përfshirë edhe deklarata publike të kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, të cilat AGSH i ka kritikuar si sulme verbale dhe retorikë denigruese ndaj mediave.

“50 raste sulmesh ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias janë konfirmuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) gjatë periudhës 13–24 tetor 2026, në kuadër të protestave në Tiranë.

Nga këto, 40 raste lidhen drejtpërdrejt me Policinë e Shtetit, duke përbërë 80% të totalit të incidenteve të dokumentuara.

Gjithashtu, AGSH ka konfirmuar 5 raste në të cilat gazetarë dhe punonjës të medias janë goditur me plumba gome nga Policia e Shtetit gjatë ushtrimit të detyrës”, thekson AGSH.

Burimi: Report.al / Boldnews.al / AGSH