Qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit do të mund të votojnë me postë nga 27 tetori deri më 8 nëntor për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se vetëm 29.712 qytetarë, të regjistruar me sukses për votim jashtë vendit në raundin e parë të 12 tetorit, kanë të drejtë vote.

Sipas KQZ-së, procesi nisi para certifikimit të rezultateve për të shmangur vonesat dhe për të garantuar ushtrimin në kohë të së drejtës kushtetuese të votës.

Më 25 tetor, KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare për kryetarë në 35 komuna, ndërsa Prishtina, Juniku dhe Mamusha mbeten pezull për shkak të afatit 48-orësh për ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Raundi i dytë mbahet më 9 nëntor në 18 komuna, me listë votuesish tashmë të certifikuar dhe 1.158.015 fletëvotime që do të shtypen. Në raundin e parë votuan 39,58% e mbi 2 milionë qytetarëve me të drejtë vote brenda vendit, ndërsa në 20 komuna u zgjodhën kryetarë.

Burimi: Panorama — https://en.panorama.com.al/diaspora-nis-votimin-per-raundin-e-dyte-te-zgjedhjeve-lokale-ne-kosove/