Ndërhyrja kirurgjikale për Erjon Vishkullin, i cili u plagos në syrin e majtë gjatë përplasjeve në Sheshin “Skënderbej”, sapo ka përfunduar. Sipas mjekut kirurg të Traumës, ndërhyrja ka përfunduar dhe pritet të vlerësohet ecuria e gjendjes së 28-vjeçarit. Ende nuk mund të përcaktohet nëse dëmtimi ka prekur shikimin, ndaj i riu do të vijojë të mbahet nën monitorim mjekësor. Mjekët po ndjekin me kujdes gjendjen e tij pas operacionit, për të vlerësuar dëmtimet dhe për të përcaktuar nëse do të ketë pasoja në shikimin e syrit të majtë. Sipas mjekut të Traumës, mbetet herët për një konstatim përfundimtar mbi gjendjen e shikimit.

Vishkulli, 28 vjeç, u godit në syrin e majtë me plumb gome gjatë protestës së sotme në Tiranë. Ky është zhvillimi i ri pas raportimit të mëparshëm për plagosjen e tij.

Deputetja e pavarur, Mariana Koçeku, ka reaguar pas episodeve të dhunës gjatë protestës në Tiranë, duke dënuar goditjet ndaj protestuesve dhe duke theksuar se këto pamje shtojnë arsyet për të vijuar protestën. Në reagimin e saj, Koçeku kujton se protestat morën përmasa masive pas një rasti kur një qytetar u tërhoq zvarrë, ndërsa këtë herë, sipas saj, një tjetër protestues u godit në sy. “Herën e parë protestat shpërthyen masivisht se u mor zvarrë nji njeri. Sot pamë nji tjetër njeri që u godit në sy. E ndigjuem edhe britmën e tij”, shkruan deputetja. Koçeku akuzon pushtetin se po e trajton trupin e qytetarit si mjet për të përhapur frikë, ndërsa nënvizon se dhuna ndaj protestuesve nuk e zbeh reagimin qytetar. “Pushteti vazhdon me e trajtu trupin e qytetarit si vendin ku duhet me u ngulë frika. Por çdo goditje ndaj nji protestuesi e ban edhe ma të qartë pse njerëzit vazhdojnë me qëndru në shesh”, përfundon reagimin e saj deputetja e pavarur.

Protesta e 12-të studentore në Tiranë ka marrë vëmendjen e medias franceze France 24, e cila i ka kushtuar një artikull përshkallëzimit të tubimeve kundër qeverisë, përplasjeve me policinë dhe pakënaqësisë së qytetarëve për korrupsionin dhe kushtet e jetesës në Shqipëri. Të shtunën, protesta u shoqërua sërish me përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit. Sipas artikullit, policia përdori topa uji, gaz lotsjellës dhe plumba gome, ndërsa disa protestues hodhën gurë dhe fishekzjarrë në drejtim të forcave të policisë. France 24 raporton se disa ndërtesa qeveritare janë sulmuar, dhjetëra demonstrues janë ndaluar dhe, sipas autoriteteve të cituara në artikull, më shumë se 300 protestues dhe efektivë policie janë plagosur. “Ka shumë zemërim”, citohet të ketë thënë aktivistja Sidorela Vatnikaj, e cila e përshkroi lëvizjen si një “revolucion”. Sipas raportimit të AFP-së, mijëra qytetarë iu përgjigjën thirrjes për të marrë pjesë në protestën e së shtunës. Mbështetje për tubimin kishin shprehur edhe grupe që përfaqësojnë pedagogët universitarë, artistët dhe partitë opozitare. Një tjetër element i vënë në dukje në artikull është solidariteti i disa bizneseve me protestuesit: përpara tubimit, shumë dyqane mbyllën qepenat, ndërsa disa prej tyre vendosën mesazhe mbështetëse, si “Mos prekni. Jemi me ju”. France 24 sjell në vëmendje edhe emigracionin, duke raportuar se më shumë se 1.5 milionë njerëz janë larguar nga Shqipëria që prej rënies së komunizmit në vitet 1990, ndërsa popullsia e vendit vlerësohet rreth 2.3 milionë banorë. Artikulli përmend gjithashtu renditjen e Shqipërisë në vendin e 91-të mes 182 shteteve në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International.

Burimi: Report TV