Pas një dite përplasjesh në Tiranë, mbrëmja solli tri zhvillime të reja. Policia e Shtetit reagoi zyrtarisht për tensionet e ditës, duke thënë se efektivët u përballën me dhunë të vazhdueshme që rrezikonte jetën dhe shëndetin e tyre, dhe u bëri thirrje pjesëmarrësve të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, të shmangin zonat ku ka akte dhune dhe të mos përfshihen në veprime që cenojnë rendin publik, duke theksuar se e drejta për protestë paqësore është e garantuar, ndërsa dhuna dhe dëmtimi i pronës ndëshkohen me ligj.
Ndërkohë, studentët dhe të rinjtë njoftuan se do të rikthehen sërish në protestë ditën e nesërme, të dielën 25 tetor, në orën 14:00, para Ministrisë së Arsimit, në të njëjtin vend ku u mblodhën sot, për të shprehur kërkesat dhe pakënaqësitë e tyre.
Solidaritet për të plagosurin në sy erdhi edhe nga “Tifozat Kuq e Zi”, të cilët reaguan zyrtarisht në faqen e tyre në Facebook menjëherë pas plagosjes së rëndë të anëtarit të kryesisë së tyre, Erjon Vishkulli, duke i uruar shërim sa më të shpejtë dhe duke e quajtur sakrificën e tij dalje në ballë të Atdheut për një Shqipëri më të mirë. Reagimi nuk sjell detaje të reja mjekësore për gjendjen e tij.
Burimi: Flaka / Report TV




Leave a Reply