Përdorimi i gazit lotsjellës nga policia gjatë protestës së 12-të studentore në Tiranë nuk është kursyer as pranë Xhamisë së Et’hem Beut, ku brenda ndodheshin besimtarë. Deputeti Eno Bozdo ka shprehur indinjatën e tij për situatën, duke shkruar: “E mbytën në gaz edhe Xhaminë e Et’hem Beut, bashkë me besimtarët aty! Zoti marrtë hak për këtë poshtërsi!”

Ndërkohë, Rrjeti SafeJournalists ka reaguar pas lëndimit të gazetarit të News24, Klevin Muka, gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë. Sipas organizatës, gazetari ka pësuar djegie pasi është ekspozuar ndaj ujit me përmbajtje irrituese të hedhur nga një automjet policor me ujëhedhës. Muka ka deklaruar se ka përjetuar djegie të forta dhe se, pavarësisht kontaktit me shërbimin e ambulancës, nuk ka marrë ndihmë mjekësore.

Në reagimin e saj, organizata nënvizon se rasti i gazetarit të News24 vjen pas një serie incidentesh të raportuara ndaj përfaqësuesve të medias gjatë protestave në Shqipëri. Sipas të dhënave të Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, që prej përshkallëzimit të protestave më 13 tetor janë raportuar 43 incidente ndaj gazetarëve dhe mediave, duke përfshirë dhunë fizike, kërcënime, pengim të raportimit dhe sulme verbale.

Rrjeti u bën thirrje Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme të sqarojnë rrethanat e incidentit, të identifikojnë efektivët dhe njësitë e përfshira dhe të ruajnë provat. Njëkohësisht, kërkohet që Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe organet e prokurorisë të zhvillojnë hetime të shpejta, të pavarura dhe efektive për pretendimet mbi përdorimin e paligjshëm ose joproporcional të forcës, ndërsa autoritetet shëndetësore duhet të sqarojnë mungesën e raportuar të ndihmës mjekësore.

SafeJournalists kujton se më 14 tetor dënoi dhunën e raportuar të policisë ndaj gazetarëve dhe se më 22 tetor organizata ndërkombëtare dhe europiane për lirinë e medias iu bashkuan organizatave shqiptare në një thirrje të përbashkët për hetime të pavarura dhe llogaridhënie institucionale. Sipas rrjetit, fakti që një tjetër gazetar është lënduar vetëm dy ditë pas thirrjes së fundit nënvizon urgjencën për veprime konkrete institucionale. Mbrojtja e gazetarëve gjatë demonstratave është një detyrim themelor i shtetit, thekson organizata: gazetarët duhet të jenë në gjendje të raportojnë lirshëm dhe në kushte sigurie, përfshirë edhe gjatë dokumentimit të operacioneve policore.

Ndërkohë, bilanci i të plagosurve është përditësuar: 13 persona kanë marrë trajtim mjekësor, nga 8 të raportuar më herët. Në Traumë ndodheshin 9 të lënduar (7 protestues, 2 media), 5 kanë dalë, ndërsa 4 protestues vijojnë trajtimin; i lënduari në sy është jashtë rrezikut për jetën. Në QSUT “Nënë Tereza” janë trajtuar 1 protestues dhe 1 efektiv (të dalë), ndërsa në Poliklinikën Nr. 2, 2 efektivë të lënduar në sy (të dalë). Në mbrëmje policia është shpërndarë në disa zona të kryeqytetit dhe kanë nisur shoqërimet e personave pas tensioneve.

Burimi: Report TV / Top Channel