Dashamir Shehi ka propozuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie të përbashkët politike me studentët që protestojnë.
I ftuar në emisionin “Opinion”, në Tv Klan, ku u diskutua për protestat e të rinjve në Tiranë, Shehi theksoi se situata kërkon mjete politike dhe jo përplasje të dhunshme.
Sipas tij, protesta nuk duhet parë vetëm si një reagim i studentëve, pasi pakënaqësitë janë më të gjera dhe mund të shprehen edhe nga grupe të tjera të shoqërisë.
“As unë nuk jam për ta rrëzuar me dhunë. Por kriza është politike dhe do mjete politike për ta zgjidhur. Kështu ka ndodhur gjithmonë, edhe në ’91-shin me mjete politike është zgjidhur. Sa herë mungojnë mjetet politike, rrëshqasim aty ku kemi rrëshqitur, në ’97-ën, gjithë këto histori të tjera.
Duhen mjete politike për ta zgjidhur, sepse kjo protestë nuk është thjesht e studentëve, sepse ka filluar e disa muaj më parë. Mund të vazhdojë dy muaj pas me blegtorë, e ku di unë. Pse? Është poshtë problemi. Kriza është permanente këtu. Edhe plas një herë me atë, një herë me atë”, tha Shehi.
Ai propozoi që zgjidhja të nisë me dorëheqjen e kryeministrit Rama, duke argumentuar se një hap i tillë nuk do të sillte domosdoshmërisht destabilizim të vendit.
“Çfarë kërkojnë të rinjtë? Dorëheqjen e tij. Iku kjo. Çfarë ndodh? Asnjë gjë nuk ndodh. Fare. Po deshët, nxjerrim edhe socialistë të tjerë kryeministër”, u shpreh ai.
Shehi argumentoi se pas dorëheqjes së Ramës mund të krijohej një qeveri e përbashkët, ku të përfshiheshin përfaqësues të shumicës dhe opozitës, si dhe përfaqësues të të rinjve që kanë protestuar. Ai theksoi se nuk bëhet fjalë për një qeveri teknike, por për një qeveri politike me një platformë të përcaktuar. Sipas tij, kjo qeveri do të duhej të kishte si objektiv kryesor integrimin evropian të Shqipërisë.
“Unë i kam gjetur edhe emrin: Bëje, do t’ia vësh emrin ‘Qeveria për Evropën’. Edhe hyjnë këta që kanë bërë protestën. E përkohshme, sigurisht. Ata të tjerët nga opozita si komponentë, s’ka asnjë gjë të keqe. Por qeveri politike, jo teknike”, tha ai.
Burimi: Report TV, 22.10.2026.




Leave a Reply