Ministria e Shëndetësisë ka bërë publike të dhënat për gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës së zhvilluar më 16 tetor 2026. Sipas informacionit zyrtar, në Tiranë, Vlorë dhe Lezhë janë trajtuar gjithsej 25 persona, mes tyre efektivë policie, protestues dhe të mitur.
Në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë morën trajtim mjekësor 21 persona: 8 efektivë policie, 10 protestues — mes të cilëve 3 të mitur — si dhe 3 kalimtarë. Dy prej tyre vijojnë të marrin shërbim në spital: një kalimtar në gjendje të qëndrueshme dhe një protestues 21-vjeçar, i cili po trajtohet dhe monitorohet nga ekipi i neurokirurgjisë. Aktualisht nuk ka indikacion për ndërhyrje kirurgjikale dhe nuk rezulton rrezik për paralizë.
Të gjithë personat e tjerë kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë larguar nga spitali me këshillën e mjekut, jashtë rrezikut për jetën. Në Spitalin rajonal të Vlorës u trajtuan 1 efektiv policie dhe 2 të mitur, ndërsa në Lezhë një e mitur — të gjithë kanë lënë spitalin pas trajtimit.




Leave a Reply