Kryeministri Edi Rama ka zbritur për mëngjesin e tretë radhazi në terren, këtë herë në një biznes në “Rrugën e Durrësit” në Tiranë, ku prezantoi platformën “Dëmi im” — dritarja e re në e-Albania ku bizneset e vogla të dëmtuara gjatë katër ditëve të protestave të dhunshme do të regjistrojnë dëmet.
Bizneset duhet të fusin të dhënat e tyre — emër, mbiemër, NIPT, e-mail, numër celulari, sipërfaqja, kompania e sigurimit dhe parashikimi i dëmit — si dhe të ngarkojnë pamjet dhe faturat përkatëse. Pas regjistrimit, 10 grupe verifikimi nga Tatimet do të dalin në terren për të mbledhur të dhënat e dëmeve mbi biznesin e vogël në kryeqytet, dhe më pas do të përpilohet një regjistër i plotë i të gjitha dëmeve të raportuara.
“Do t’i kthejmë këto gërmadha verbërie në shëmbëlltyra të forcës sonë për të ecur përpara,” tha Rama, duke premtuar një paketë ndihme për bizneset e prekura. Ai shtoi se zëri i studentëve “duhet dhe do të dëgjohet me respekt”, por nuk do të lejojë askënd të rrezikojë të ardhmen e vendit.
Burimi: Report TV / Top Channel




Leave a Reply