Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka sulmuar ashpër koalicionin VLEN, duke e akuzuar se pas hyrjes në qeveri është kthyer në instrument të politikave që favorizojnë të ashtuquajturën ‘botë serbe’. Në një deklaratë publike, partia e Ali Ahmetit thotë se VLEN ka tradhtuar thuajse çdo premtim që i kishte dhënë qytetarëve shqiptarë gjatë fushatës zgjedhore.
Sipas BDI-së, VLEN kishte premtuar gjatë zgjedhjeve se nuk do të hynte në qeveri edhe nëse i mungonte vetëm një votë për fitoren, madje kishte premtuar edhe tërheqjen nga politika. Por, thotë BDI, ndodhi e kundërta: si humbës të zgjedhjeve, ata hynë në qeveri dhe u bënë instrument i plotë i VMRO-DPMNE-së.
Partia opozitare thekson se raporti i Parlamentit Evropian, për të dytin vit radhazi, shpreh shqetësim për ndikimin në rritje të ‘botës serbe’ në Maqedoninë e Veriut — një zhvillim që, sipas BDI-së, VLEN e ka mundësuar me hyrjen e saj në qeveri.
‘VLEN premtoi ndryshim, por solli nënshtrim’, thuhet në deklaratën e BDI-së, e cila akuzon koalicionin qeverisës shqiptar se ka braktisur interesat e shqiptarëve për të ruajtur karriget e pushtetit.
Nga ana tjetër, VLEN nuk ka reaguar ende ndaj këtyre akuzave. Përplasjet mes dy subjekteve politike shqiptare kanë qenë të vazhdueshme që nga formimi i qeverisë së re, me akuza të ndërsjella për tradhti të interesave kombëtare.
Burimi: gazetaexpress.com




Leave a Reply