Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se misioni i tij i radhës është të bëhet kryeministër i Kosovës. Deklarata u bë gjatë një bisede spontane në rrugët e New York-ut me influencuesin e njohur të rrjeteve sociale, Khan, i cili njihet për videot ku i pyet kalimtarët se me çfarë merren për të jetuar.
I pyetur për profesionin, Rama u prezantua si kryetar i Prishtinës, kryeqytetit të Kosovës. Kur Khan e pyeti për pjesën e preferuar të punës së tij, Rama u përgjigj se është “misioni i radhës” – marrja e drejtimit të Qeverisë, me qëllim që, sipas tij, ta pastrojë dhe ta rregullojë shtetin.
Në video, Rama nuk i kurseu as kritikat ndaj kryeministrit aktual, Albin Kurti, duke vlerësuar se ai “nuk po bën punë aq të mirë” dhe se duhet “t’ia tregojnë rrugën”.
Videja ka shkaktuar reagime në Kosovë. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka shkruar se videoja është realizuar para votimit për presidenten, duke e kritikuar Ramën për punën e tij në krye të kryeqytetit.
Rama është kryetar i Prishtinës në mandatin e dytë, i zgjedhur nën siglën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndonëse në disa raste ka deklaruar se nuk mban librezë partie.
Burimi: KOHA / Euronews Albania




Leave a Reply