Bayern Munihu e ka vendosur mbrojtësin e Barcelonës Jules Koundé në listën e objektivave për merkaton e janarit. Sipas gazetës spanjolle Mundo Deportivo, e cila citon gazetarët Christian Falk dhe Matteo Moretto, bavarezët po kërkojnë përforcime në mbrojtje dhe francezi është një nga emrat kryesorë — por do të duhet të përballen me konkurrencën e Çelsit.
Koundé po kalon një periudhë të vështirë në Barcelonë. Pasi humbi besimin e trajnerit Hansi Flick, francezi ka luajtur vetëm 261 minuta në pesë ndeshje dhe ka vetëm një startim nga shtatë ndeshje të La Ligës; në hierarkinë e krahut të djathtë e ka kaluar Eric García. Gjatë pushimit të kombëtareve, vetë lojtari pranoi se roli i tij i reduktuar është pasojë e një niveli “nën standardet” e tij sezonin e kaluar.
Bayern, nga ana e tij, e konsideron Sacha Boey-n jashtë planeve të trajnerit Vincent Kompany — mbrojtësi francez nuk ka bindur dhe klubi kërkon ta shesë para se të lëvizë për një zëvendësues. Aktualisht në krahun e djathtë alternojnë Konrad Laimer dhe Josip Stanišić, por klubi kërkon një përmirësim dhe Koundé, i cili mund të luajë edhe në qendër të mbrojtjes, do t’i përshtatej profilit.
Pengesa kryesore mbetet vetë lojtari dhe Barcelona. Koundé ka kontratë deri në vitin 2030 dhe thuhet se nuk nxiton të largohet; katalanasit nuk janë të detyruar ta shesin, edhe pse mund ta bëjnë për të financuar transferime të tjera. Përveç Koundé-s, Bayern po ndjek edhe Givairo Read të Feyenoordit si alternativë.
Burimi: Mundo Deportivo




Leave a Reply