Seanca plenare e Kuvendit nisi të enjten me tensione të forta, pasi deputetët e Partisë Demokratike bllokuan foltoren që në nisje të punimeve.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, mori fjalën dhe, duke iu referuar dhunës së ushtruar nga policia ndaj studentëve protestues, deklaroi se deputetët e mazhorancës meritojnë gaz lotsjellës, plumba gome, “kafka të çara e kocka të thyera” — jo të rinjtë.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, e cilësoi deklaratën thirrje të hapur për dhunë nga foltorja dhe i hoqi Berishës të drejtën e fjalës për gjithë ditën. Seanca u ndërpre për disa minuta, ndërsa Berisha nuk u largua nga foltorja dhe doli drejtpërdrejt në Facebook-un e tij.

Pas tensioneve, Peleshi vendosi kalimin e seancës direkt në votim të projektligjeve. Kjo është seanca e parë pas përplasjeve fizike të javës së kaluar, pas të cilave gjashtë deputetë të PD-së — Flamur Noka, Belind Këlliçi, Edi Paloka, Fidel Kreka, Luçiano Boçi dhe Besart Xhaferri — u përjashtuan për 60 ditë nga punimet parlamentare. Në rendin e ditës janë 12 projektligje, një akt normativ, tri projektvendime dhe një interpelancë me ministrin Blendi Gonxhja, e kërkuar nga deputetja demokrate Ina Zhupa.