Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u paraqit të enjten në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në kuadër të procesit gjyqësor për dosjen “Sterilizimi”. Beqaj mbërriti në gjykatë i shoqëruar nga një efektiv policie.
Beqaj ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për çështjen SASPAC — u arrestua më 4 korrik 2024, ndërsa masa iu ndryshua më 31 korrik të këtij viti, pas përfundimit të afateve të paraburgimit. Për dosjen “Sterilizimi” ai përballet me akuzën e shpërdorimit të detyrës, të kryer në bashkëpunim.
Në seancë, ish-ministri u paraqit pa avokat, për shkak të bojkotit të avokatëve, të nisur më 8 shtator si protestë ndaj rregullores së re të GJKKO-së. Në kuadër të dosjes SASPAC, SPAK e akuzon Beqajn për korrupsion pasiv, shkelje të barazisë në tendera, falsifikim dokumentesh, mashtrim në bashkëpunim dhe fshehje të pasurisë — dyshohet për procedura prokurimi fiktive gjatë viteve 2022–2023, me shërbime të financuara nga fondet e Bashkimit Evropian.




Leave a Reply