Banka Kombëtare e Serbisë ia hoqi licencën e punës Alta Bankës me seli në Beograd, pas përkeqësimit të ndjeshëm të gjendjes së saj financiare. Vendimi u njoftua gjatë natës, ndërsa mëngjesin e sotëm qytetarë janë rreshtuar para degëve të bankës për të tërhequr kursimet e tyre.

Sipas njoftimit zyrtar, Agjencia për Sigurimin e Depozitave do të emërohet administratore e falimentimit me vendim gjykate, ndërsa pagesa e shumave të siguruara për depozituesit do të nisë brenda shtatë ditësh pune. Zhvillimi ka rëndësi edhe për Maqedoninë e Veriut, pasi Alta Group mori kontrollin e Stopanska Banka Manastir — sot Alta Banka AD Bitola — me 95,13 për qind të aksioneve. Banka në Manastir është subjekt juridik më vete, me licencë dhe mbikëqyrje në Maqedoninë e Veriut, ndaj heqja e licencës në Serbi nuk nënkupton automatikisht heqjen e licencës së saj. Ndërkohë, LSDM-ja kërkon që Prokuroria të nisë menjëherë procedime kundër kryeministrit Hristijan Mickoski dhe guvernatorit Trajko Slaveski në lidhje me këtë rast.