TIRANË – Dy senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, mbështetës të njohur të nismave legjislative për Ballkanin Perëndimor, po zhvillojnë një tur në disa vende të rajonit, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Gjatë qëndrimit në vendin tonë, ata janë shoqëruar nga ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Eric Wendt.
Në fokus të turit ballkanik të dy senatorëve janë siguria, integriteti euroatlantik, bashkëpunimi me NATO-n dhe sundimi i ligjit. Të shtunën, Shaheen dhe Durbin, së bashku me ambasadorin Wendt, takuan në zyrat e tyre dy drejtuesit e institucioneve më të rëndësishme hetimore në Shqipëri: kreun e SPAK-ut, Klodjan Braho, dhe atë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta.
Për ambasadorin Wendt, kjo ishte ndalesa e dytë në SPAK brenda pak ditësh, pasi ai u takua me drejtuesit e Prokurorisë së Posaçme menjëherë pas marrjes së detyrës në krye të misionit diplomatik amerikan në Tiranë – një sinjal se mbështetja amerikane për Strukturën e Posaçme vijon të jetë e fortë.
Gjatë takimit me Presidentin Bajram Begaj, të shoqëruar nga ambasadori Wendt, dy senatorët amerikanë u nderuan me dekoratën e lartë “Komandar i Urdhrit Suprem të Shqiponjës”, për kontributin e tyre në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.
Senatorët takuan edhe përfaqësues të opozitës, përfshirë deputetët e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso, të cilët mësohet se kanë ngritur shqetësimet e tyre për mënyrën e qeverisjes së vendit. Takime u zhvilluan gjithashtu me kreun e partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, si dhe me deputeten e pavarur Marjana Koçeku, e larguar nga Partia Socialiste.
Ajo që bie në sy është se në asnjë nga takimet e diplomatëve amerikanë nuk ishte i pranishëm kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha – një mungesë që ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe të opinionit publik.
Burimi: albaniaexpress.al




Leave a Reply