Kryeministri Edi Rama, në një komunikim në Facebook, ka reaguar për protestën e dhunshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke dënuar sulmet ndaj policisë dhe dëmtimin e pronës publike e private.

Rama deklaroi se dhuna nuk ka lidhje me rininë shqiptare dhe se në bulevard është vetëm një pjesë e vogël e studentëve, sipas tij “të verbuar nga ide ekstremiste”. Ai tha se pamjet që transmetojnë televizionet shfaqin të ashtuquajturin “grupin e zjarrit”, që nuk ka lidhje me studentët — “një dhunë e verbër që nuk ka asnjë lidhje me rininë shqiptare”.

Gjatë komunikimit, kryeministri pretendoi se është zbuluar një dron me eksploziv, me qëllim — sipas tij — për t’i vënë zjarrin oborrit të Kryeministrisë. “Kemi shumë të dhëna”, u shpreh Rama.

Ai tregoi gjithashtu një telefonatë me një studente protestuese, e cila i kishte shkruar se “nuk na dëgjuat”. Rama tha se ka dëgjuar çdo ditë poshtë dritares së tij thirrjet “burg, burg” dhe “jep dorëheqjen”, por asnjë kërkesë konkrete se pse duhet të largohet.

Kryeministri kujtoi edhe ngjarjet e 21 Janarit, kur u vranë katër protestues, duke bërë një paralelizëm me protestat e fundit. “Ata që përpiqen t’u nxjerrin sytë policëve dhe t’i vrasin, janë kriminelë, por janë fëmijët e këtij vendi. Dëmet nuk janë të vogla, por ndreqen”, deklaroi ai.

“Këtu nuk po sfidohem unë, nuk po sfidohet qeveria, por po sfidohet një mision, një objektiv: Shqipëria në BE në vitin 2030”, tha Rama.

Burimi: Top Channel