Kryeministri Edi Rama, në komunikimin e mëngjesit të sotëm për protestat, ka bërë një ftesë të drejtpërdrejtë për dialog. Ai u shpreh se shteti nuk do të dorëzohet përballë dhunës gjatë protestave, ndërsa ftoi qytetarët që duan dialog të takohen me të në Kryeministri, në fakultet apo në një format tjetër komunikimi.
Rama iu drejtua edhe të rinjve që, sipas tij, qëndrojnë në protestë pa pasur qëllim të hedhin gurë, por që përballen me persona të maskuar dhe me mjete të forta. “Ftoj këdo që do të bëjë dialog, këdo që do të më takojë, këdo që do të flasi me kamera, me fotografi, pa fotografi, në kryeministri, në fakultet, si mund t’i bëjmë gjërat më mirë”, tha Rama. “Kush më çon mesazh dhe gurë me maska mua dhe shtetin e ka përballë, kjo që po ndodh Shqipërinë do e bëjë më të fortë.”
Duke komentuar protestat dhe thirrjet për t’i hapur rrugë rinisë, Rama paralajmëroi se pas kësaj mund të vijë e kaluara: “Ka shumë që thonë: ‘Hapi rrugën rinisë’, por çfarë vjen pas kësaj? Vjen Shqipëria në BE apo, pas kësaj, vjen e kaluara, për të cilën ne e kemi paguar atë haraç?” Ai theksoi se në lojë nuk është pushteti i tij, por tryeza e negociatave me Bashkimin Evropian: “Të jemi të qartë, nuk është çështje e pushtetit tim. Nuk është pushteti im në lojë, por tryeza e negociatave.”
Kryeministri tha se drejtësia ka çuar përpara njerëz të pushtetshëm dhe se misioni i tij është që Shqipëria të ecë përpara dhe të qëndrojë me kokën lart. “Kjo drejtësi ka çuar përpara njerëz të pushtetshëm. Unë kam një mision, që Shqipëria të qëndrojë me kokën lart”, u shpreh ai.
Burimi: Top Channel




Leave a Reply