Protestuesit e mbledhur ditën e pestë para Ministrisë së Arsimit kanë folur për Report TV për arsyet që i kanë nxjerrë në rrugë: mungesa e vendeve të punës, pagat e ulëta dhe qiratë e shtrenjta.
Ersli Selimi, një i ri që i është bashkuar protestës, thotë se të rinjtë që dalin nga shkolla nuk gjejnë punë: “Kam studiuar administrim biznesi, kam filluar punë, por inflacioni dhe rrogat që janë në Shqipëri nuk përputhen me kostot e jetesës. Sapo del nga universiteti, të kërkojnë 3 vite eksperiencë. Duhet të dalë një politikë e re”, u shpreh ai.
Një protestuese tha se dhunuesit nuk janë efektivët e policisë, por persona të panjohur: “Vetë policat na e konfirmuan që këta janë thjeshtë për të mbrojtur. Ata të tjerët as që nuk i njohin dhe ata janë vetëm për të dhunuar”. Një tjetër, që jeton në Angli dhe ka ardhur në Shqipëri për protestë, denoncoi korrupsionin në administratë: “Nuk kam patur mundësi të mbaroj punë pa dhënë një kafe”.
Ndërkohë, një protestues 20-vjeçar deklaroi se do të donte kryeministër deputetin demokrat Saimir Korreshi: “Jam 20-vjeç. Kam 150 ditë që protestojmë për të drejtat tona. Duam vetëm të iki Edi Rama. Dua me shpirt vetëm Saimir Korreshin”, tha ai për Report TV.
Burimi: Report TV




Leave a Reply