Ish-kryetari i Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi, ka reaguar sërish për protestat në Shqipëri, duke dënuar aktet e dhunës dhe zjarrvëniet, ndërsa ka shprehur mbështetjen për protestat paqësore të studentëve.

Brozi u shpreh se ngjarjet e ditëve të fundit i shkaktojnë shqetësim shoqërisë shqiptare, duke kujtuar edhe episode të mëparshme të dhunës në historinë e vendit, si viti 1997 dhe ngjarjet e vitit 2011. Ai akuzoi Berishën, duke e cilësuar si përgjegjës për nxitjen e dhunës në Shqipëri dhe duke pretenduar se ai financon personat që përdorin molotovë.

“Arkitekti i dhunës në Shqipëri ka qenë Sali Berisha, është zjarrvënësi edhe në këto situata, financon molotovistët. E ka provuar në gjithë historinë 30-vjeçare të vendit tonë”, tha Brozi.

Ai sulmoi edhe SPAK-un: “SPAK-u e lë të lirë kryeterroristin e 21 janarit. Çdo veprim i SPAK-ut përçohet dhe merret si një nxitje për akte dhune nga elementë ekstremistë që mund të jenë në Shqipëri”.

Brozi bëri thirrje që parlamenti shqiptar të miratojë reformën kushtetuese ku mandati të kufizohet në 2, si dhe reformën zgjedhore që populli të zgjedhë deputetët e tij.

Burimi: Shqiptarja.com