Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti, u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të mbajnë fëmijët larg përplasjeve të dhunshme gjatë protestave në Tiranë, para tubimit të ditës së gjashtë.

Në një deklaratë për mediat, ajo theksoi se të miturit nuk duhet të përfshihen në përplasje politike dhe as të përdoren për të mbrojtur askënd, ndërsa bëri të ditur se edhe fëmijë kanë përfunduar në spital për ndihmë mjekësore gjatë ditëve të fundit.

Ruseti u kërkoi prindërve të jenë të vëmendshëm se ku ndodhen fëmijët e tyre dhe çfarë thirrjesh marrin në rrjetet sociale, duke iu drejtuar edhe organizatorëve të protestave, përfaqësuesve politikë dhe mediave që të shmangin nxitjen e përplasjeve dhe normalizimin e dhunës.

Sipas saj, 272 persona kanë marrë shërbim mjekësor në spitale gjatë këtyre ditëve, ndër ta rreth 169 efektivë policie të lënduar dhe 70 protestues e kalimtarë.

Burimi: Shqiptarja.com