Protesta paqësore para Kryeministrisë ka përfunduar dhe protestuesit kanë vendosur të marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit, ku janë pozicionuar pasditen e sotme.

Pas më shumë se dy orësh qëndrimi paqësor para Kryeministrisë — ku deri më tani nuk pati asnjë konfrontim me policinë — turma u zhvendos drejt Ministrisë së Arsimit.

Aty kanë nisur të shfaqen disa nga protestuesit me maska, teksa nuk ka munguar ironizimi me policinë në lidhje me ushqimin, duke i ofruar kroasantë efektivëve. Autoboti i ujit është pozicionuar para ministrisë, teksa protestuesit janë vendosur para tij, duke i bllokuar rrugën.

Ndërkohë disa të rinj kanë nisur të godasin me gurë në drejtim të institucionit. Të rinjtë janë të maskuar dhe me kapuça që të mos dallohen. Ata po marrin gurë nga trotuari dhe i hedhin te godina e Ministrisë së Arsimit, e cila është e dëmtuar edhe më herët nga protestuesit.

Edhe pse në katin e parë janë vendosur disa mbrojtëse hekuri, dëmtimet në godinë janë të dukshme.

Burimi: Top Channel