Policia e Shtetit ka reaguar pas protestës masive të studentëve dhe të rinjve të zhvilluar më 24 tetor në Tiranë, duke u ndalur te plagosja në sy e 28-vjeçarit Erjon Vishkulli dhe denoncimet për dhunë nga efektivët e policisë.
Sipas njoftimit të Policisë, Drejtori i Përgjithshëm, Skënder Hita, ka urdhëruar nisjen e menjëhershme të hetimeve nga Drejtoria e Standardeve Profesionale për të zbardhur rrethanat në të cilat i riu pësoi dëmtimin e rëndë në sy. Për këtë incident kanë nisur hetimet edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive.
Policia e Shtetit shpreh keqardhjen për lëndimin e të riut gjatë protestës dhe i uron atij shërim sa më të shpejtë, ashtu si të gjithë qytetarëve, gazetarëve dhe punonjësve të Policisë që janë lënduar gjatë protestave në Tiranë.
Ndërkohë, pas publikimit në media të pamjeve ku një efektiv i Forcës së Posaçme “Shqiponja” dyshohet se ka tejkaluar kompetencat, ai është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij ka nisur një hetim administrativ. Bëhet fjalë për inspektorin A. K., i cili, sipas njoftimit të Policisë, është shfaqur duke tejkaluar kompetencat dhe duke mos respektuar parimin e proporcionalitetit gjatë ushtrimit të detyrës. Gjatë pamjeve të publikuara në media, qytetari mbeti i shtrirë në tokë, pa ndjenja, pas një përplasjeje me policinë, ku protestuesi u godit me shkop gome nga efektivi i policisë.
Gjatë protestës, e cila zgjati deri në orët e mbrëmjes së djeshme dhe u shtri në disa pjesë të kryeqytetit, punonjësit e Policisë së Shtetit u sulmuan për orë të gjata me gurë, vida e sfera metalike, shkopinj druri e metalikë, lëndë piroteknike, bomba Molotov dhe bombola gazi të lidhura me kapsolla, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë. Si pasojë e sulmeve të personave të maskuar dhe të dhunshëm, 5 punonjës policie u plagosën.
“Mbrojtja e jetës, shëndetit dhe sigurisë së çdo qytetari është një detyrim parësor i Policisë së Shtetit dhe do të hetohet me paanshmëri e profesionalizëm çdo rast i dyshuar për tejkalim të detyrës. Respektimi i ligjit, proporcionaliteti në përdorimin e forcës dhe përgjegjësia individuale janë parime të panegociueshme në ushtrimin e detyrës policore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Ndërkohë, protesta e së shtunës në Tiranë ka marrë edhe jehonën e medias prestigjioze amerikane “New York Times”, e cila i ka kushtuar një artikull revoltës së studentëve kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Gazeta amerikane thekson se të rinjtë janë ngritur në revoltë për shkak të kostove të larta të arsimit, ndërsa kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama, për të cilin thotë se ka qenë shënjestra kryesore e zemërimit.
“Kryeministri Rama, i cili ka qenë në detyrë për 13 vjet dhe ka hyrë e dalë nga qeveria shqiptare që nga viti 1998, ka qenë shënjestra kryesore e zemërimit dhe protestuesit po kërkojnë që ai të japë dorëheqjen”, shkruan media.
Sipas “New York Times”, qindra studentë marshuan drejt Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë të shtunën, në ditën e pestë të protestave kundër kostove të larta të arsimit, ndërsa protesta u bashkua me muaj të tërë demonstratash mbi koston e jetesës dhe thirrjet që kryeministri Edi Rama të japë dorëheqjen. Gazeta vëren se protesta u përhap edhe në qytete të tjera të mëdha të Shqipërisë, përfshirë Durrësin, Korçën dhe Vlorën, ndërsa autoritetet kishin ndaluar më shumë se 167 persona dhe më shumë se 388 ishin akuzuar që nga e marta.
Burimi: Top Channel / Report TV




Leave a Reply