Një operacion i gjerë policor me përmasa ndërkombëtare nisi mëngjesin e sotëm në Kosovë, me bastisje në disa lokacione në Prishtinë, Ferizaj dhe Fushë Kosovë. Në shënjestër janë dyshimet për shpëlarje parash dhe veprimtari kriminale me shtrirje ndërkombëtare.

Operacioni realizohet nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Policisë së Kosovës, në kuadër të një hetimi të udhëhequr nga Prokuroria Speciale, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Paralelisht, veprime të koordinuara po zhvillohen edhe në Gjermani dhe në shtete të tjera evropiane. Një nga lokacionet e bastisura është objekti “Arting” pranë Hotel Derand në Prishtinë, ku operojnë edhe qendra thirrjesh. Deri tani nuk ka një bilanc zyrtar për arrestime apo sende të sekuestruara.

Burimi: Gazeta Sinjali