Grupime studentësh të dala nga protestat po hedhin hapat e parë drejt organizimit politik — me synimin për të krijuar një parti të re dhe një platformë online për figura jopartiake.
Një prej grupimeve është “Rinia Nacionaliste”, e cila synon të kthehet në parti politike dhe paraqitet si “opozita e vërtetë”. Sipas përfaqësuesve të saj, grupimi numëron rreth 300 anëtarë, ndërsa bërthama e brendshme përbëhet nga 15 studentë që janë njohur gjatë protestës. Kryetar ende nuk është emëruar. Grupimi ka publikuar “10 parimet tona” — mes tyre mbrojtja e sovranitetit dhe e interesit kombëtar, familja dhe identiteti kombëtar, siguria kombëtare dhe rendi publik, lufta pa kompromis kundër korrupsionit, demokracia e vërtetë dhe pjesëmarrja qytetare, mirëqenia ekonomike e familjes shqiptare, arsimi, shëndetësia digjitale, zhvillimi i zonave rurale dhe i diasporës, si dhe mjedisi i pastër.
Përfaqësuesja e kësaj force të re, Laura Kërtalla, ka zhvilluar së fundmi një takim me zyrtarë të Bashkimit Europian në Shqipëri. Sipas anëtarit Besart Capa, nga pala europiane është sugjeruar përshpejtimi i hapave drejt formalizimit si parti.
Paralelisht po qarkullon edhe nisma “Lista Studentore” — një platformë online ku qytetarët propozojnë dhe votojnë figura publike jopartiake përmes një llogarie të verifikuar në Google, me mbi 17 mijë vota të regjistruara deri tani. Platforma është ngritur nga një profesionist i teknologjisë që nuk është identifikuar. Organizatorët theksojnë se kjo nuk është listë zyrtare kandidatësh për zgjedhje — kandidimi kërkon një proces tjetër dhe rregulla të tjera.
Zhvillimi vjen në ditën e 25-të të protestave studentore, të cilat kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Studentët kanë paralajmëruar protestën e parë kombëtare dy herë në javë, nesër në orën 14:00 para Ministrisë së Arsimit.




Leave a Reply