New Yorku pret sot një nga seancat më të rëndësishme të vjeshtës për Kosovën. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet në orën 21:00 për të shqyrtuar raportin gjashtëmujor të misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, që mbulon periudhën nga mesi i marsit deri në mesin e shtatorit të këtij viti. Kjo është mbledhja e parë e këtij lloji që prej 9 prillit.

Sipas raportit, situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë ka mbetur stabile, por bllokada institucionale ka vazhduar dhe zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit ka shënuar përparim të kufizuar. Raporti trajton edhe zhvillimet në drejtësi, përfshirë arrestimet e serbëve të dyshuar për krime lufte dhe dënimin e tre personave për sulmin në Banjskë, si dhe mbylljen e institucioneve paralele serbe që vepronin ilegalisht. Gjithashtu përmendet njoftimi i KFOR-it për tërheqjen graduale të pranisë së përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër dhe përfshirja e Policisë së Kosovës në masat e sigurisë pranë Manastirit të Deçanit.

Në seancë pritet të raportojë Peter Due, shefi i UNMIK-ut, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Serbisë, Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Burimi: Botapress