Qeveria e Maqedonisë së Veriut, organizatat e punëdhënësve, sindikatat dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) nënshkruan sot në Shkup Programin Kombëtar për Punë të Denjë 2026–2030, një angazhim i përbashkët për zhvillim ekonomik gjithëpërfshirës, vende pune cilësore dhe institucione më të forta të tregut të punës.
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, tha se programi synon vende pune më të sigurta, me paga më të mira, duke vënë në qendër të drejtat e punëtorëve, zhvillimin e aftësive sipas nevojave të tregut, rritjen e pjesëmarrjes së grave dhe të rinjve dhe uljen e punës informale. Drejtorja e ILO-s për Evropën Qendrore dhe Lindore, Claire Harasty, theksoi se bashkëpunimi i përbashkët mund të ndërtojë një treg pune më gjithëpërfshirës, produktiv dhe rezistent. Programi u hartua përmes konsultimeve trepalëshe dhe është në linjë me Kornizën e Bashkëpunimit të OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm 2026–2030.
Burimi: Albeu



