Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua të premten me ambasadorin e Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, për të diskutuar formimin e institucioneve të Kosovës dhe bashkëpunimin bilateral.
Kurti e informoi ambasadorin Antonini për vendimin e 16 shtatorit në Hagë ndaj ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe për procesin e integrimit evropian të Kosovës.
Sipas Kurtit, përmbyllja e procesit të formimit dhe funksionalizimit të institucioneve shënon kthimin e fokusit të plotë në programin e punës së qeverisë dhe planet e zhvillimit. Pikërisht këtë e diskutoi gjatë takimit me ambasadorin italian, i cili e uroi për zgjedhjen e presidentes.
Krahas zhvillimeve aktuale, u diskutua procesi i integrimit evropian të Kosovës, roli i Italisë dhe rëndësia e mbështetjes së saj në avancimin e statusit të Kosovës në vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Jemi mirënjohës Italisë për mbështetjen dhe kontributin e saj të përgjithshëm në zhvillimin e Republikës sonë, si dhe për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajon. Synojmë të zgjerojmë bashkëpunimin në të gjithë sektorët me interes të përbashkët, përfshirë sportin,” shkroi Kurti.
Burimi: Rks News




Leave a Reply