Edicioni i 13-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit me Metrazh të Shkurtër KO:SH po zhvillohet këto ditë në Korçë, me rreth 100 filma nga mbi 40 vende të botës, të shfaqur në Kinemanë “Majestik” dhe në Galerinë e Arteve Dixhitale. Motoja e këtij viti është “What We Ignore, Remains” — ajo që injorojmë, mbetet.

Hapja u bë me filmin “DUA” të regjisores Blerta Basholli, ndërsa programi sjell edhe risi: filma të realizuar me inteligjencë artificiale, rikthimin e filmit me realitet virtual dhe një seksion të dedikuar për fëmijët. Festivali drejtohet nga Gledis Bica dhe filmat vlerësohen nga një juri prej 12 anëtarësh.

KO:SH është kthyer ndër vite në një nga ngjarjet më të rëndësishme të kinemasë së shkurtër në rajon, duke e kthyer Korçën në pikëtakim të kineastëve të rinj nga e gjithë bota.

Burimi: RTSH