Një kontroll rutinë në pikën kufitare të Bogorodicës, në kufirin e Maqedonisë së Veriut me Greqinë, ka nxjerrë në dritë një ngarkesë të pazakontë: gjarpërinj dhe zvarranikë të tjerë që dikush po përpiqej t’i fuste ilegalisht në Maqedoni.
Kafshët u zbuluan nga doganierët maqedonas gjatë kontrollit të një automjeti që drejtohej nga një shtetas i Kosovës. Zvarranikët ishin vendosur në kuti, ishin mbështjellë me pëlhura dhe ishin fshehur nën sediljen e veturës – një metodë kjo që tradhton qëllimin për t’i kaluar kufirin pa u vënë re.
Mes kafshëve të sekuestruara ka pitonë dhe gjarpërinj të tjerë, për të cilët besohet se u përkasin specieve të mbrojtura. Njëri prej tyre është një gjarpër helmues i llojit të njohur me emrin “Baron Snake”. Prania e një gjarpri helmues mes kafshëve të kontrabanduara e bën rastin edhe më serioz, duke pasur parasysh rrezikun për sigurinë publike dhe për mjedisin.
Kundër shoferit është nisur procedura përkatëse ligjore, ndërsa nuk është bërë e ditur sa kafshë u gjetën gjithsej. Trafiku i paligjshëm i kafshëve të egra, veçanërisht i specieve ekzotike si pitonët, është një fenomen në rritje në Ballkan, i nxitur nga kërkesa për kafshë shtëpiake ekzotike në tregun e zi.
Autoritetet pritet të përcaktojnë origjinën dhe destinacionin e kafshëve, si dhe nëse pas këtij rasti fshihet një rrjet më i gjerë i trafikut të kafshëve të mbrojtura.
Burimi: DosjaX




Leave a Reply