Nxënësit e Gjimnazit “7 Marsi” në Tetovë pritet të kenë nga viti i ardhshëm shkollor dy drejtime të reja: Informatikë dhe Programim.

Propozimi u paraqit nga këshilltari i Aleancës për Shqiptarët, Arlind Murtezani, në Këshillin Komunal. Ai argumentoi se mbi 400 nxënës ndjekin aktualisht kurse private në këto fusha dhe se hapja e paraleleve në shkollë do t’i ndihmonte të rinjtë të përgatiten për studime universitare dhe karrierë në teknologji.

Propozimi u mirëprit nga udhëheqja e Komunës së Tetovës. Përgjegjësi për arsim njoftoi se para fillimit të vitit të ri shkollor do t’i dërgohet kërkesë ministrisë përkatëse për miratimin final, në mënyrë që dy drejtimet e reja të hapen në shtator.

Nisma vjen në një kohë kur në Tetovë po ndërtohen për herë të parë pas më shumë se dy dekadash objekte të reja shkollore – Shkolla e Mesme Tekstile dhe Gjimnazi “7 Marsi” – me investim rreth 5 milionë euro, ndërsa komuna ka planifikuar gjithsej 19 projekte në infrastrukturën arsimore.

Burimi: TetovaExpres