Arbër Hajdari ka reaguar pasi emri i tij u përmend në letrën e publikuar nga burgu nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili pretendon se kryeministri Edi Rama i ka kërkuar të heqë dorë nga Bashkia e Tiranës dhe t’ia delegojë atë Hajdarit.

Hajdari mohoi çdo lidhje me këtë çështje, duke i cilësuar pretendimet si thashetheme dhe fantazi. “Unë nuk kam lidhje me këtë histori penale-politike dhe as jam i papunë, as kam ëndërruar ndonjëherë të më punësojë, larg qoftë, Lali Eri!”, shkroi ai.

Veliaj pretendon se Rama i vendosi tri kushte: të pranojë përfshirjen në organizimin e protestave studentore, të heqë dorë nga bashkia në favor të Hajdarit dhe të mos këshillohet më me Plarent Ndrecën — përndryshe, akuza të reja dhe dënim deri në 100 vite burg. Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, e ka konfirmuar takimin me Veliajn në burgun e Fierit, por ka mohuar mesazhet që i janë atribuuar në raportimet mediatike.

Burimi: NTV