Policia e Tiranës ka arrestuar 6 persona, ka proceduar penalisht 3 të tjerë dhe ka shpallur në kërkim 2, pas akteve të dhunës gjatë protestës së djeshme në kryeqytet. Sipas njoftimit zyrtar, demonstruesit kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Policisë me sende të forta, lëndë piroteknike, bomba molotov, sfera dhe vida metalike, bllokuan qarkullimin dhe dogjën kazanë mbeturinash.

Të arrestuarit janë Andi Shtepani 26 vjeç, Leonardo Kola 18 vjeç, Frenkli Çullhaj 38 vjeç, Kevin Radosevich 35 vjeç (shtetas i huaj), si dhe dy të mitur. Gjatë kontrolleve, dy prej të arrestuarve iu gjetën dhe iu sekuestruan bomba molotov. Për të parën herë gjatë protestave, Policia referon në Prokurori edhe veprën penale “Vrasja e punonjësit të Policisë”, e mbetur në tentativë — përkrah akuzave për pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme, prishje të qetësisë publike, kundërshtim të punonjësit të policisë dhe mbajtje pa leje të armëve shpërthyese. Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.