Shqipëria do të përfshihet sot nga një destabilizim i fuqishëm i motit, si pasojë e mbërritjes së një cikloni nga Italia dhe Deti Adriatik, i shoqëruar me një front të ftohtë ajror nga veriu dhe veriperëndimi.

Sipas parashikimeve sinoptike, gjatë ditës së dielë priten vranësira dhe reshje të shpeshta shiu, si dhe rrebeshe lokale me vetëtima dhe bubullimë. Vende-vende reshjet mund të jenë intensive, ndërsa kohë pas kohe nuk përjashtohen stuhi apo shtrëngata të forta lokale.

Cikloni do të përshkojë territorin shqiptar për të vazhduar më pas drejt Greqisë, ku priten gjithashtu stuhi intensive shiu me bubullima. Reshje intensive parashikohen edhe në Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi.

Temperaturat do të shënojnë ulje të ndjeshme, sidomos me ardhjen e frontit të ftohtë. Vlerat minimale pritet të jenë rreth 10 gradë Celsius, ndërsa maksimalet rreth 20 gradë, me rënie të mëtejshme pas kalimit të frontit.

Nga e hëna moti do të jetë më i freskët, me reshje më të pakta dhe më sporadike. Të martën dhe të mërkurën pritet mot më i ftohtë, me mundësi për reshje të dobëta lokale, ndërsa në malet e larta nuk përjashtohen reshje të dobëta bore.

Qytetarët këshillohen të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve, veçanërisht në akset rrugore ku reshjet intensive mund të krijojnë vështirësi në qarkullim. Edhe ndeshjet e futbollit të programuara për sot dhe nesër, përfshirë derbin Partizani–Tirana, mund të luhen në kushte të vështira atmosferike.

Burimi: MeteoBallkan