Bordi i Transparencës ka miratuar tarifat e reja tavan për tregtimin e naftës dhe benzinës në Shqipëri. Vendimi është marrë më 10 tetor 2026 dhe ka hyrë në fuqi në orën 12:30, duke përcaktuar kufijtë maksimalë të çmimeve për shitjen me pakicë dhe me shumicë.
Sipas vendimit, çmimi i shitjes me pakicë i gazoilit të standardit SSH EN 590 nuk duhet të kalojë 211 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë është përcaktuar në jo më shumë se 199 lekë për litër. Pra, nafta u ul me dy lekë krahasuar me një ditë më parë, kur tavan-i ishte 213 lekë.
Për benzinën, kufiri maksimal i shitjes me pakicë është vendosur në 195 lekë për litër, ndërsa për shitjen me shumicë çmimi nuk duhet të kalojë 183 lekë për litër. Benzina, ndryshe nga nafta, u rrit me një lekë në krahasim me 194 lekët e përcaktuara në mbledhjen e mëparshme.
Mbledhja e radhës së Bordit u zhvillua në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16 shtator 2026, për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve, si dhe të ligjit nr. 8450 për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre. Bordi funksionon në kuadër të masave për kontrollin e përkohshëm të çmimeve të nënprodukteve të naftës dhe gazit.
Çmimet e reja do të mbeten në fuqi deri në një vendim të ardhshëm të Bordit, i cili do të shqyrtojë ecurinë e tregut dhe mundësinë e ndryshimit të tarifave. Bordi u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve që tregtojnë karburante, si me shumicë ashtu edhe me pakicë, të zbatojnë detyrimisht çmimet e përcaktuara. Për subjektet që konstatohet se shkelin vendimin, parashikohen masa përkatëse, deri në pezullimin e aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kanë deklaruar se synojnë të mbrojnë interesat e konsumatorëve dhe të garantojnë konkurrencë të ndershme në tregun e karburanteve.
Burimi: BigNews




Leave a Reply