Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka pranuar se ka ngatërruar shifrat për daljen e votuesve në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës. Në konferencën për shtyp të orës 09:00, përfaqësuesit e KSHZ-së deklaruan se dalja ishte 5,33%, ndërkohë që në platformën zyrtare për monitorimin e rezultateve shënohej vetëm 2,45%.
Pas mospërputhjes thelbësore mes deklaratës para mediave dhe platformës zyrtare, redaksia e Portalb-it kërkoi sqarim zyrtar me shkrim. KSHZ pranoi se kishte ndodhur një “permutacion” i të dhënave: shifra 5,33% i përkiste rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale të vitit 2025, jo zgjedhjeve të sotme.
“Ju falënderojmë për vërejtjen. E dhëna e theksuar prej 5,33% është nga rrethi i dytë i zgjedhjeve, pra është bërë një permutacion (ngatërrim) i të dhënave. Gjithsesi, trendi i daljes shënon rritje sipas të dhënave të fundit të orës 13:00”, thuhet në përgjigjen zyrtare të KSHZ-së dërguar Portalb-it.
Me të dhënat e sakta, dalja deri në orën 09:00 (2,46%, rreth 400 votues) është minimalisht më e lartë se ajo e vitit 2025 — një rritje prej 0,01 pikë përqindjeje, dhe jo ulja prej 2,87 pikësh që u raportua më parë në bazë të shifrës së gabuar. Policia e Tetovës konfirmon se procesi po zhvillohet pa parregullsi.
Vendvotimet mbyllen në orën 19:00.
Burimi: Portalb.mk




Leave a Reply