Pas më shumë se dy dekadash në kërkim ndërkombëtar, është arrestuar në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara 52-vjeçari shqiptar Valentin Ftoni, i dënuar nga drejtësia shqiptare me dy vendime të veçanta, nga 25 vite burgim secili, për vrasjen e tre personave në qarkun e Shkodrës. Ftoni ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej vitit 2001.
Sipas Policisë së Shtetit, njëri nga dënimet lidhet me vrasjen e bashkëshortëve Gjelosh dhe Ardiana Markaj, ngjarje e ndodhur më 19 shtator 2000 në Ças të Velipojës. Për këtë krim, të kryer për motive gjakmarrjeje, Gjykata e Shkodrës e dënoi Ftonin më 28 shtator 2001 me 25 vite burgim për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje. Vendimi i dytë, i dhënë më 18 nëntor 2008, e dënoi sërish me 25 vite burgim për vrasjen e shtetasit Gac Toma, ngjarje e 12 gushtit 2001.
Pas largimit nga Shqipëria, Ftoni dyshohet se ka përdorur dokumente të falsifikuara dhe identitete të rreme për të hyrë e qëndruar në territorin amerikan. Lokalizimi dhe kapja e tij u realizuan përmes koordinimit të Policisë së Shtetit — Departamentit të Policisë Kriminale, Drejtorisë për Krimet e Rënda dhe Njësisë së Përbashkët të Shërbimeve Investigative — në bashkëpunim me agjencitë federale amerikane DSS/OCIU, Shërbimin e Marshallëve (USMS) dhe Agjencinë e Emigracionit dhe Doganave (ICE).
Aktualisht vijojnë procedurat mes autoriteteve shqiptare dhe atyre amerikane për ekstradimin e Ftonit drejt Shqipërisë, me qëllim vuajtjen e dënimeve të dhëna nga gjykatat shqiptare.
Burimi: Albania Express




Leave a Reply