Drejtori i Spitalit Rajonal të Fierit, Arben Voja, është arrestuar sot në kuadër të një hetimi të Prokurorisë së Fierit.
Prokuroria e Fierit ka lëshuar urdhërarrest për drejtorin e institucionit shëndetësor, ndërsa paralelisht kanë nisur kontrollet në ambientet e spitalit. Voja është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku po merret në pyetje. Sipas raportimeve të para, në veprimet hetimore morën pjesë edhe dy prokurorë të SPAK-ut dhe një oficer i Policisë Gjyqësore.
Burime nga Policia bëjnë me dije se hetimet lidhen me periudhën kur Voja drejtonte Kadastrën e Fierit. Sipas tyre, dyshohet për tjetërsimin e 44 mijë metrave katrorë tokë shtetërore, që dyshohet se i janë kaluar një biznesmeni për ndërtimin e një impianti fotovoltaik, përmes dokumenteve të falsifikuara.
Për këtë çështje, sipas raportimeve, organet e drejtësisë kanë caktuar katër masa sigurie “arrest në burg”. Përveç Vojës, në dosje përmenden edhe një ish-jurist i Kadastrës, një hartografe, një notere dhe punonjës të tjerë të institucionit.
Arben Voja nuk është një emër i panjohur në administratën publike. Përpara se të merrte drejtimin e Spitalit Rajonal Fier, ai ka ushtruar edhe funksione të tjera drejtuese, përfshirë postin e drejtuesit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Fier.
Në maj të vitit 2023, Agjencia Shtetërore e Kadastrës depozitoi në SPAK një kallëzim ku përmendej edhe Arben Voja, për dyshime për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, duke pretenduar se veprimet e konstatuara i kishin shkaktuar shtetit një dëm prej 9.5 milionë lekësh.
Ndërkohë, në dhjetor të vitit 2025, Prokuroria e Fierit dërgoi për gjykim Vojën dhe gjashtë ish-punonjës të Agjencisë Rajonale të Mjedisit Fier-Vlorë-Gjirokastër, për dyshime për shpërdorim detyre në procedurat e dhënies së lejeve mjedisore dhe mosmbledhjen e tarifave përkatëse.
Deri në këto momente nuk ka një njoftim të plotë zyrtar që të sqarojë akuzat konkrete që lidhen me arrestimin e fundit apo objektin e plotë të hetimit. Deri në një njoftim zyrtar, arrestimi dhe marrja në pyetje e Arben Vojës nuk përbëjnë në vetvete konfirmim të përgjegjësisë penale.




Leave a Reply