Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Arkin Jahiji, shpalli sonte fitore në rrethin e parë të zgjedhjeve të parakohshme lokale, duke u bazuar në rezultatet preliminare. Në deklaratën e tij, Jahiji tha se është në avantazh me rreth 600 vota dhe se vazhdon në rrethin e dytë, që mbahet më 1 nëntor. “Festa do të jetë më 1 nëntor, kur do të fitojmë në rrethin e dytë”, deklaroi ai.

Afër tij qëndronte kundërkandidati nga koalicioni VLEN, Jakup Useini, i cili ia uroi fitoren. Jahiji e vlerësoi garën si korrekte dhe sipas standardeve evropiane.

Ndërkohë, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ/DIK) ka publikuar të dhënat e para preliminare të marra në mënyrë elektronike. Sipas asaj që raporton Fokus.mk, në të dhënat e publikuara deri tani në avantazh është Stojanço Radiçeski, kandidat i koalicionit “Maqedonia Jote” i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, me 891 vota. E dyta është Jakup Useini i VLEN-it me 438 vota, e treta Jovica Radeski i koalicionit të udhëhequr nga LSDM-ja me 226 vota, ndërsa Arkin Jahiji i AKI-së figuron me 78 vota, kandidati i pavarur Dushan Bogdanovski me 16 vota dhe kandidatja e pavarur Arife Idrizi pa vota të regjistruara deri tani.

DIK thekson se rezultatet elektronike publikohen në mënyrë të njëpasnjëshme, siç mbërrijnë të dhënat nga vendvotimet, dhe se tabloja është ende e pjesshme. Për orën 21:30 është paralajmëruar konferencë për shtyp e DIK-ut.

Burimet: Portalb.mk, Fokus.mk