Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, reagoi për zhvillimet e fundit në Shqipëri, duke u bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë për maturi, përgjegjësi dhe tejkalim të interesave partiake në të mirë të vendit.
Në njoftimin e tij të plotë, të cituar nga TV21, Ahmeti thekson se politika shqiptare duhet të dëshmojë urtësi e vetëdije për interesin e përbashkët dhe se situata duhet të tejkalohet me maturi, dialog e veprime të përgjegjshme, pa dëmtuar besimin te institucionet dhe funksionimin demokratik.
Ai u bëri thirrje edhe studentëve e protestuesve që kërkesat t’i shprehin me dinjitet, duke shmangur dhunën e shkatërrimet: “shkatërrimi nuk është zgjidhje” — pas çdo biznesi qëndron puna e sakrifica e njerëzve. Institucioneve shtetërore u kërkoi të veprojnë me paanshmëri e profesionalizëm: uniforma e policisë duhet të jetë simbol i ligjit e shërbimit ndaj qytetarëve. Asnjë formë dhune, nga cilado palë, nuk mund të jetë përgjigje ndaj krizës; “Shqipëria është atdheu i të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë kufijve të saj” dhe e ardhmja e saj është përgjegjësi e përbashkët.
Burimi: TV21.tv




Leave a Reply