Dhjetë persona janë arrestuar gjatë ditës së djeshme për akte dhune gjatë protestës në Tiranë, ndërsa 22 të tjerë janë vendosur nën hetim, njofton Policia e Tiranës.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të arrestuarit janë kapur duke qëlluar me gurë dhe sende të tjera të forta në drejtim të punonjësve të Policisë dhe të godinës së Ministrisë së Arsimit. Si pasojë janë dëmtuar fizikisht 8 punonjës policie dhe janë shkaktuar dëme materiale në godinë dhe në sinjalistikën rrugore. Mes të arrestuarve është edhe një vajzë.

EMRAT e të arrestuarve (sipas njoftimit zyrtar, inicialet dhe moshat): K. B., 20 vjeç; L. L., 18 vjeçe; J. Ë., 37 vjeç; M. J., 28 vjeç; R. B., 30 vjeç; E. Xh., 23 vjeç; E. B., 19 vjeç; E. V., 21 vjeç; K. S., 20 vjeç dhe K. B., 18 vjeç.

Materialet procedurale lidhur me ngjarjen i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Ndaj të arrestuarve rëndojnë vepra penale nga “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse e djegëse”, deri te “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.

Lajmi vjen ndërsa 63 protestues të tjerë dalin sot në Gjykatën e Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë. Vetëm një ditë më parë, 18 protestues dolën në gjykatë — njëri prej tyre u la në burg, 6 në arrest shtëpie dhe 11 në detyrim paraqitjeje. Në tre ditët e para të protestave dhe të enjten në rrethe, në pranga kanë përfunduar 152 persona dhe 324 të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Burimi: Report TV / Top Channel