Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka ngritur sot kallëzime penale kundër guvernatorit të Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, dhe personave të tjerë zyrtarë e përgjegjës në Bankën Popullore, lidhur me zhvillimet e fundit rreth Alta Bankës.
Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Aleksandar Sasha Dimitrijeviq, në konferencën e sotme për media para Prokurorisë Publike tha se partia kërkon përgjegjësi nga të gjithë ata që ia hapën derën dhe e sollën Alta Bankën në Maqedoni, pa verifikuar paraprakisht prejardhjen e kapitalit, pronarin e bankës dhe rreziqet nga hyrja e saj në vend, duke mos i mbrojtur kështu interesat e qytetarëve.
Sipas Dimitrijeviqit, kallëzimi është i gjerë, i detajuar, i argumentuar dhe i mbështetur juridikisht.
“Sa i përket përgjegjësisë penale, Trajko Sllaveski dhe personat e kallëzuar akuzohen se, përmes veprimeve, mosveprimeve dhe moskryerjes së mbikëqyrjes së detyrueshme, në periudhën nga gjysma e dytë e vitit 2025 deri në tetor-nëntor të vitit 2026, kanë kryer veprën penale të punës së papërgjegjshme në shërbim, sipas nenit 353, si dhe keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar”, tha sekretari i përgjithshëm i LSDM-së.
Sa i përket përgjegjësisë për miratimin e marrjes së bankës dhe mbikëqyrjen sipas Ligjit për Bankat, në kallëzim janë përmendur nenet 13, 17, 18, 59 dhe 62 — për mosplotësimin e kushteve për fitimin e pjesëmarrjes së kualifikuar, veçanërisht nga një person ndaj të cilit është shqiptuar sanksion kundërvajtës, për verifikimin e investitorit dhe bazave për dhënien e pëlqimit nga Banka Popullore.
Opozitarët kërkojnë gjithashtu të përcaktohet pse para hyrjes së Alta Bankës nuk janë verifikuar reputacioni i pronarit të saj, Davor Macura, prejardhja e kapitalit dhe rreziqet për sigurinë dhe stabilitetin e bankës.
LSDM-ja kërkon që Prokuroria të sigurojë dosjen e plotë për marrjen e bankës — elaboratet profesionale, procesverbalet, pëlqimet dhe korrespondencën me institucionet vendore dhe të huaja — si dhe që guvernatorit dhe personave të tjerë të përfshirë t’u shqiptohen masa kujdesi, përfshirë ndalimin e përkohshëm të ushtrimit të detyrave.
Kallëzimi i LSDM-së vjen një ditë pasi Banka Popullore dhe guvernatori Sllaveski ngritën dy kallëzime penale kundër kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, sekretarit të përgjithshëm Dimitrijeviq dhe sekretarit për bashkëpunim ndërkombëtar, Andrej Zhernovski, lidhur me zhvillimet rreth Alta Bankës.
Ndërkohë, prokurori Nenad Saveski ka deklaruar se Prokuroria Publike po e ndjek rastin, ndërsa BDI-ja i hodhi poshtë si gënjeshtra pretendimet e shumicës qeverisëse se qeveria e kaluar kishte mundësuar hyrjen e bankës serbe Alta në sistemin bankar të vendit, duke kërcënuar me padi brenda 24 orëve nëse nuk kërkohet falje.




Leave a Reply