Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova ka vënë veton ndaj Ligjit të ndryshuar për Prokurime Publike, të miratuar nga Kuvendi muajin e kaluar — ajo nuk e ka nënshkruar dekretin për hyrjen e tij në fuqi, raporton Portalb.mk. Pas vendimit të presidentes, ligji i kthehet Kuvendit për rishqyrtim.

Kontestuese për presidenten është neni 13, sipas të cilit kryetari dhe anëtarët e Komisionit Shtetëror për Ankesa për Prokurime Publike emërohen për një periudhë pesëvjeçare “me të drejtë riemërimi” — ndërsa në ligjin e mëparshëm thuhej “me të drejtë edhe të një zgjedhjeje”. Sipas arsyetimit të Siljanovska-Davkovës, formulimi “me të drejtë riemërimi” — ndryshe nga ai i mëparshmi, i cili përcaktonte qartë kufirin prej 10 vjetësh — është juridikisht i pasaktë dhe i paqartë, qoftë rastësisht apo qëllimisht.

Veto vjen në të njëjtën ditë me publikimin e Raportit të Progresit 2026 të Komisionit Evropian, i cili kritikon Maqedoninë e Veriut ndër të tjera edhe për prokurimet publike.