Paralajmërimi i kryeministrit Edi Rama se pjesëmarrja në protesta do të shoqërohet me gjoba tashmë po zbatohet në praktikë. Policia ka nisur gjobitjet e qytetarëve që marrin pjesë në tubimet antiqeveritare — një prej dokumenteve të gjobës është bërë publik sot, ku një qytetar është gjobitur me 5.000 lekë pasi protestoi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, më 2 nëntor.
Gjoba është vendosur nga Komisariati Nr. 2 në bazë të Aktit Normativ të 28 tetorit “Për shpërblimin e dëmit civil të shkaktuar ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve dhe rregullimin e pasojave” — i njëjti akt që parashikon gjoba deri në 500.000 lekë për “këdo që zgjedh të qëndrojë në një turmë” që kryen akte dhune. I gjobituri ka të drejtë ankimi në Gjykatën Administrative.
Sipas Stop Tv Klan, vetëm për protestën e së hënës policia ka gjobitur 11 protestues për pengim të qarkullimit — secili me 50 mijë lekë të vjetra. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e denoncoi gjobitjen me dokument, duke e quajtur “akt të rëndë arbitrariteti dhe censure ndaj lirive themelore”: “E drejta për t’u tubuar dhe për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar me Kushtetutë dhe nuk mund të cenohet, intimidohet apo shuhet përmes gjobave dhe as përmes dhunës.”




Leave a Reply