Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka thirrur protestë kombëtare të fuqishme nesër, më 31 tetor, në orën 12:00, në mbështetje të revoltës studentore.

Në një konferencë për mediat nga selia blu, Berisha u bëri thirrje anëtarëve, mbështetësve dhe qytetarëve nga e gjithë Shqipëria që t’i bashkohen protestës, duke e cilësuar lëvizjen e studentëve si një revoltë kundër korrupsionit dhe qeverisë. “Të dashur qytetarë dhe qytetare, nesër në ora 12:00, PD fton të gjithë anëtarët, anëtaret, mbështetësit e saj nga mbarë vendi në protestë kombëtare të fuqishme në mbështetje të revoltës studentore”, tha ai, duke vlerësuar guximin e studentëve dhe gjimnazistëve në ditën e 18-të të protestave. Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për përdorim dhune ndaj protestuesve dhe për përpjekje për të delegjitimuar lëvizjen, duke hedhur poshtë etiketimin e saj si lëvizje “ANTIFA”.