Një 31-vjeçar turk, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut për veprën penale të vrasjes, është arrestuar në pikën kufitare të Morinës, teksa tentonte të hynte në Shqipëri.

Sipas njoftimit të Policisë, shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, kapën në hyrje shtetasin turk me inicialet B. K., 31 vjeç, banues në Turqi. Nga verifikimet rezultoi se ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet maqedonase, bazuar në një vendim të Zyrës së Prokurorisë Publike në Shkup, të datës 27 tetor 2026. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Kukës kryen procedurat e arrestimit, me qëllim ekstradimin e tij në Maqedoninë e Veriut.