Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe këtë të premte (30 tetor) thirrjet drejtuar studentëve protestues për t’u ulur në dialog me qeverinë, ndërsa protestat kundër tij vijojnë prej më shumë se dy javësh.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Rama u është referuar sërish “Sofrës së Gurtë” para Kryeministrisë, mbi të cilën janë vendosur letrat me mbishkrimin “Dialog”, duke i ftuar studentët në tryezën e bisedimeve për të diskutuar kërkesat e tyre për arsimin. Kreu i qeverisë e ka bërë të qartë se nuk do të largohet nga posti, por ka shprehur gatishmërinë për bisedime. Studentët, nga ana tjetër, e kanë refuzuar deri më tani ftesën, duke këmbëngulur në kërkesën kryesore: dorëheqjen e kryeministrit.