Një helikopter ushtarak i EUFOR-it është rrëzuar në zonën e Goricës, pranë Brçkos në Bosnjë-Hercegovinë. Sipas informacioneve jozyrtare, tre persona kanë humbur jetën, ndërsa drejtori i Policisë së Distriktit të Brçkos ka konfirmuar se 12 persona ndodhen në spital.
EUFOR-i ka konfirmuar se aksidenti ndodhi gjatë një operacioni rutinë në zonën e Brçkos. Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja nuk ka shkaktuar dëme në infrastrukturën civile, prona apo automjete, dhe nuk raportohet për civilë të lënduar.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë policia e Distriktit të Brçkos, zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës, ndërsa zona përreth është siguruar nga autoritetet. EUFOR-i ka nisur një hetim të plotë për të zbardhur shkaqet e rrëzimit dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin dezinformatat dhe të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare.
Burimi: Zhurnal.mk



